Trump kërcënon Iranin me shkatërrim brenda një nate, Pentagoni paralajmëron sulme masive

06.04.2026

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar se vendi mund të “shkatërrohet brenda një nate” nëse nuk përmbush kërkesat amerikane.

Gjatë një konference, Trump deklaroi se ekziston një plan i detajuar ushtarak për goditjen e infrastrukturës iraniane, përfshirë ura dhe termocentrale, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

Në të njëjtën linjë, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, lëshoi një paralajmërim të fortë për Teheranin, duke theksuar se presidenti amerikan “nuk bën shaka” kur bëhet fjalë për kërcënimet ushtarake.

“Irani ka një zgjedhje. Zgjidhni me mençuri, sepse ky president nuk bën shaka”, u shpreh Hegseth, duke iu referuar edhe operacioneve të mëparshme amerikane, përfshirë vrasjen e Qassem Soleimani në vitin 2020.

Ai shtoi se intensiteti i sulmeve do të rritet, duke paralajmëruar se ditët në vijim do të shënojnë nivelin më të lartë të goditjeve që nga fillimi i operacionit ushtarak.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni synon ta detyrojë Iranin të pranojë kushtet, përfshirë heqjen dorë nga programet bërthamore dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës.

Megjithatë, Trump nuk ka sqaruar nëse situata po shkon drejt një përshkallëzimi të plotë apo nëse ekziston mundësia e një armëpushimi, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.