Tentuan ta djegin flamurin shqiptar, 173 mijë euro gjobë për Serbinë nga UEFA
Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka goditur rëndë Federatën e Futbollit të Serbisë për incidente të përsëritura të sjelljes raciste të tifozëve serbë.
Vendimi i UEFA-s vjen vetëm pak ditë para se shorti i FIFA-s të vendosë Serbinë dhe Shqipërinë në të njëjtin grup kualifikues për Kupën e Botës 2026, duke nxitur shqetësime për një përballje e cila mund të shënohet nga tensionet.
Gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi në nëntor, tifozët serbë u kapën duke tentuar të djegin flamurin shqiptar, një veprim që UEFA e ka cilësuar si “sjellje raciste dhe/apo diskriminuese”. Ky incident, së bashku me shkelje të tjera disiplinore, ka çuar në një dënim të rëndë për Federatën Serbe, duke përfshirë një gjobë prej 173.000 euro, ndalim të shitjes së biletave për tifozët në ndeshjet e ardhshme dhe mbyllje të pjesëve të stadiumit.
Një histori e trazuar
Ndeshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë një histori të trazuar, e shënuar nga incidente të dhunshme dhe provokime nacionaliste. Ndeshja e vitit 2014 në Beograd, e ndërprerë pas futjes së një droni me flamurin shqiptar, është një shembull i qartë i tensionit të lartë që karakterizon këto përballje.
Përfshirja e futbollistëve shqiptarë në kombëtaren zvicerane, siç është kapiteni Granit Xhaka, ka shtuar edhe më tej tensionet në këto ndeshje, duke i kthyer ato në një arenë për shprehjen e rivalitetit historik dhe politik.