Vrasja në Suharekë, në aktgjykim u përfshi deklarata e dëshmitarit të padëgjuar, rigjykim ndaj të dënuarve me 57 vite burgim

19.09.2022

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza, për vrasjen e Abedin Bytyqit më 2016 në Suharekë. Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat […]

Vrasja në Suharekë, në aktgjykim u përfshi deklarata e dëshmitarit të padëgjuar, rigjykim ndaj të dënuarve me 57 vite burgim Foto: Ilustrim

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza, për vrasjen e Abedin Bytyqit më 2016 në Suharekë.

Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat Ademin me 25 vite burgim, Resmije Bytyqin me 20 vite burgim, Fadil Fetiun me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer vepër penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas ankesave të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit më 29 gusht 2022 e ktheu rastin në rigjykim, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë një aktgjykim voluminoz, duke mos dhënë arsye të qarta për vendimin.

“Në arsyetim të aktgjykimit vetëm listohen provat materiale dhe përshkruhen dhe përsëriten deklaratat e dëshmitarëve dhe mbrojtja e të akuzuarve, për çka aktgjykimi paraqitet voluminoz por nuk përmban arsyet e qarta dhe të plota për vlerësimin e tyre nga të cilat gjykata ka nxjerrë konkluzionin për të provuar apo jo një fakt vendimtar në këtë çështje penale”, thuhet në vendim.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, në Gjykatën e Apelit ankesë kanë paraqitur Prokuroria Themelore në Prizren, përfaqësuesi i të dëmtuarit Avdi Bytyqi, avokati Blerim Mazreku, mbrojtësi i të akuzuarit Ademi, avokati Hajrip Krasniqi, mbrojtësit e të akuzuarës Bytyqi, avokatët Durim Nevzati dhe Pjetër Përgjoka dhe mbrojtësit e të akuzuarit Fadil Fetiu, avokatët Esat Gutaj dhe Sefer Morina.

Prokuroria Themelore në Prizren, avokati Mazreku si dhe i dëmtuari Avdi Bytyqi kanë ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike mbi sanksionin penal dhe kanë propozuar që aktgjykimi të anulohet në pjesën liruese dhe ndaj të akuzuarve të tjerë të shqiptohet dënim më i rëndë.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve, Murat Ademi, Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu, kanë parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe që të mbrojturit e tyre të lirohen ose çështja të kthehet në rivendosje.

Andaj, Apeli ka gjetur se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të mbrojtësve të të akuzuarve janë të bazuara, meqenëse aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

Gjithashtu, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë në aktgjykim kishte konstatuar se më 29 janar 2021, si dëshmitar ishte dëgjuar edhe Armend Bytyqi, por që në procesverbalin e seancës gjyqësore të kësaj date, nuk ishte asnjë konstatim lidhur me dëgjimin e këtij dëshmitari.

“Me shikimin e aktgjykimit të ankimuar, faqe 42, gjykata e shkallës së parë konstaton se më datë 29 janar 2021 është dëgjuar dëshmitar edhe Armend Bytyqi. Mirëpo me shikimin në procesverbalin e datës 29 janar 2021, por edhe në procesverbalet e tjera të shqyrtimit gjyqësor në rigjykim, askund nuk rezulton se është dëgjuar ky dëshmitar, për më tepër në procesverbalet e seancave gjyqësore në rigjykim nuk ka asnjë konstatim lidhur me dëgjimin, leximin e deklaratës apo ndonjë propozim konkret në raport me këtë dëshmitar”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit lidhur me dëshmitarin Bytyqi thuhet se “Nga arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar, faqe 65, rezulton se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ankimuar e bazon, pos të tjerash edhe në deklaratën e këtij dëshmitari, duke e përfshirë dhe vlerësuar deklaratën e dëshmitarit Armend Bytyqi, si në fq. 6, me konstatim se gjykata gjithashtu e mori për bazë deklaratën e dëshmitarit Armend Bytyqi, kur deklaroi…”.

Po ashtu, sipas vendimit të Apelit, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i paqartë edhe për pjesën liruese për të akuzuarin Reshat Ademi, pasi sipas Apelit në aktgjykim nuk janë përfshirë arsyet e lirimit dhe obligimi për paushallin gjyqësor për këtë të fundit.

“Për këtë gjykatë ky dispozitiv është i paqartë dhe i pakuptueshëm ngase nuk dihet se të akuzuarin Reshat Ademi për të cilat veprime e ka liruar nga akuza dhe se a është obliguar edhe ai për të paguar në emër të paushallit shumën prej 2 mijë e 500 euro”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i ankimuar përfshin shkelje esenciale të dispozitave me mosmiratim të propozimit të mbrojtësve të të akuzuarës Resmije Bytyqi, që në këtë çështje penale të trajtohen si të dëmtuar fëmijët e të ndjerit A.B.

“Nuk është dhënë arsye në raport me propozimin nga mbrojtja e të akuzuarës Resmije Bytyqi- av. Durim Nevzati dhe Pjetër Përgjoka përkitazi me pretendimin që në këtë çështje penale të trajtohen si të dëmtuar fëmijët e të ndjerit Abedin. Kjo gjykatë gjen se ky pretendim i mbrojtjes është i bazuar ngase aktgjykimi i ankimuar është marrë në kundërshtim me dispozitën e nenit 370 par.7 të KPPRK-së, ku decidivisht kërkohet që gjykata të jep arsye të qarta dhe të plota për mosmiratim të propozimit konkret të palëve, e që në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk e ka përmbushur”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban faktet dhe rrethanat për veprën për të cilën akuzohet Murat Ademi.

“Gjykata e Apelit gjen se dispozitivi si në pikën I të aktgjykimit të ankimuar në raport me të akuzuarin Murat Ademi është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij pasi që nuk mund të kuptohet me qartësi se për cilën formë të vrasjes e ka gjetur fajtor të akuzuarin, meqënëse në dispozitiv përshkruhet në mënyrë alternative se…i akuzuari me dashje direkte ndërmerr veprime me qëllim të privimit nga jeta në mënyrë mizore apo dinake e të ndjerit Abedin Bytyqi, e që për nga mënyra e kryerjes dallohen njëra nga tjetra e që për rrejdhojë të këtij konfuziteti rezulton edhe mosparaqitja në mënyrë të qartë faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet në vendim.

Po ashtu, edhe për të akuzuarën Resmije Bytyqi sipas vendimit të Apelit thuhet se shkalla e parë në aktgjykimin e shpallur nuk ka bërë përshkrim faktik për veprimet e Bytyqit për veprën penale për të cilën ajo është shpallur fajtore.

“Në dispozitiv të aktgjykimit është dashur të precizon se cilin veprim inkriminues e ka ndërmarrë e akuzuara Resmije Bytyqi në drejtim të nxitjes së të akuzuarit Murat Ademi për të kryer veprën penale, a ka ndikuar që te i njëjti të formoj vendimin-bindjen për të kryer këtë vepër penale, apo te i njëjti ka forcuar bindjen që të vendos për të kryer këtë vepër penale”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi