Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën e përvojës së punës
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e shtetit, mjete që do të përdoren për mbulimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe pagesat retroaktive për shtesën e përvojës së punës.
Foto: Ilustrim
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se mjetet do të ndahen nga kontingjenca e pagave. Sipas tij, pjesë e shumës do të përdoret për të mbuluar diferencën prej 0.5 për qind për përvojën e punës, për periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga deri në fund të vitit të kaluar, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Që nga ky vit me anë të Ligjit për ndarje buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë ligji i pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar”, deklaroi Murati.
Nga rialokimi, 20 milionë euro janë paraparë edhe për pensionet bazike, me qëllim të mbulimit të kostos së rritjes së numrit të pensionistëve.
Paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik ishte ndarë edhe vitin e kaluar nga Qeveria.
Ndërkaq, shtesa për përvojën e punës lidhet me ndryshimet që solli Ligji për Paga. Sipas skemës së mëparshme, punonjësit përfitonin 0.5 për qind shtesë për çdo vit përvojë pune. Me ligjin e ri, për 15 vitet e para norma u përcaktua në 0.25 për qind për vit, ndërsa pas vitit të 15-të aplikohet norma prej 0.5 për qind.
