Vrasja më 2016 në Suharekë, Apeli shqyrton ankesat e palëve në rastin ndaj të dënuarve me 57 vite burgim

22.06.2022

Me aktgjykimin e shpallur më 24 nëntor 2021, ndaj të akuzuarve për vrasjen e A.B, Gjykata Themelore në Prizren i kishte gjetur fajtorë dhe i kishte dënuar M.A me 25 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, R.B me 20 vite burgim për “Shtytje në vrasje të rëndë”, F.F me 12 vite burgim për “Ndihmë […]

Vrasja më 2016 në Suharekë, Apeli shqyrton ankesat e palëve në rastin ndaj të dënuarve me 57 vite burgim Foto: Ilustrim

Me aktgjykimin e shpallur më 24 nëntor 2021, ndaj të akuzuarve për vrasjen e A.B, Gjykata Themelore në Prizren i kishte gjetur fajtorë dhe i kishte dënuar M.A me 25 vite burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, R.B me 20 vite burgim për “Shtytje në vrasje të rëndë”, F.F me 12 vite burgim për “Ndihmë në vrasje të rëndë”. Ndërsa, R.A është liruar nga akuzat për “Vrasje të rëndë”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Blerim Mazreku, deklaroi se qëndron pranë ankesës, duke shtuar se rrethanat rënduese në të cilat ishte kryer vepra, nuk janë vlerësuar drejt, pasi trupi i viktimës ishte pothuajse i djegur në tërësi dhe se e akuzuara R.B e ka pasur bashkëshort viktimën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj, avokati Mazreku i kërkoi kolegjit të Apelit që ta ndryshojë aktgjykimin lidhur me dënimin, ashtu që të akuzuarve t’iu shqiptojë dënim më të rëndë së ai i shkallës së parë.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dënuarit M.A, avokati Hajrip Krasniqi deklaroi se qëndron pranë ankesës dhe përgjigjes në ankesën e prokurorit, duke shtuar se përbërja e trupit gjykues ka qenë e kundërligjshme.

Krasniqi tha se vendimi nga shkalla e parë ishte marrë me shpejtësi marramendëse dhe se sipas tij njëri nga anëtarët nuk e ka kuptuar gjuhën shqipe, ndërsa tjetra anëtare ka qenë në fund të shtatzënisë.

“Sa për njohurinë e juaj, Alija Fazliu është i komunitetit boshnjak, i cili nuk e di gjuhën shqipe të komunikojë dhe kupton përveç komunikimit fillestar, ndërkaq gjyqtarja Arjeta, e gjendur ne situatë të paralindjes dhe nën presionin e asaj gjendje, trupi gjykues me një shpejtësi marramendëse ka marrë këtë aktgjykim”, tha avokati Krasniqi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit R.A, avokati Arben Ramadani deklaroi se kanë të bëjnë me një proces të gjatë ku çështja është kthyer ne rigjykim dhe se gjykata ka vendosur në favor të të mbrojturit të tij, pas rekomandimeve të gjykatës se Apeli.

Avokati Ramadani kërkoi që të konfirmohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Kurse, Durim Nevzati, avokat i të dënuarës R.B, deklaroi se shumicën e shkeljeve i ka paraqitur në ankesë, duke shtuar se dispozitivi i të dënuarit .A vetëm përsëritet edhe për të mbrojturën e tij.

Gjithashtu, ai shtoi se në dispozitiv përmenden disa takime paraprake, por që nuk tregon se ku janë mbajtur ato takime as në arsyetim.

Nevzati i kërkoi kolegjit që çështja të kthehet ne rigjykim dhe të ndërrohet përbërja e trupit gjykues.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i të dënuarit F.F, avokati Esat Gutaj deklaroi se qëndron pranë ankesës dhe shtoi se në këtë çështje nuk është vërtetuar motivi dhe se të gjitha palët janë të pakënaqura, pasi nuk është vërtetuar gjendja faktike.

Andaj, i njëjti kërkoi që ky aktgjykim të prishet dhe të ndërrohet trupi gjykues.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, M.A dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

R.B, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim. I akuzuari F.F, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, R.A, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, M.A dhe R.A, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse R.B akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

F.F fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj F.F, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit M.A dhe R.A, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën R.B, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari M.A, i shtyrë nga e akuzuara R.B, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit F.F, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se M.A e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër R.A dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi