Tentoi të korruptojë zyrtarët policorë në Vërmicë, arrestohet një shtetas i Shqipërisë
Një rast i tentimit për korrupsion ndaj zyrtarëve kufitarë është shënuar të shtunën në pikën kufitare në Vërmicë, ku një shtetas i Shqipërisë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i dyshuari mashkull kishte ofruar një kartëmonedhë prej 1000 lekësh shqiptare për një zyrtar policor dhe një kartëmonedhë prej 10 eurosh për një doganier gjatë procesit të legjitimimit të dokumenteve.
Rasti ka ndodhur më 2 gusht 2025, rreth orës 00:50. Menjëherë pas tentativës, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndaj tij janë iniciuar hetime për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, ndërsa autoritetet theksojnë se do të vazhdojnë me zero tolerancë ndaj rasteve të kësaj natyre në pikat kufitare.