Suharekë, kontakti me tela të rrymës ia dogji kamionin paditësit, Apeli vërteton aktgjykimin refuzues kundër KEDS-it për kompensim dëmi

24.07.2022

Me aktgjykimin e 12 tetorit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte miratuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit K., duke e detyruar të paditurën Korporata Energjetike e Kosovës- Distribucioni Prizren, që të njëjtit në emër të dëmit material për kamionin e dëmtuar i cili ka qenë i ngarkuar me ushqim për bagëti, t’ia paguajë […]

Suharekë, kontakti me tela të rrymës ia dogji kamionin paditësit, Apeli vërteton aktgjykimin refuzues kundër KEDS-it për kompensim dëmi Foto: Ilustrim

Me aktgjykimin e 12 tetorit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte miratuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit K., duke e detyruar të paditurën Korporata Energjetike e Kosovës- Distribucioni Prizren, që të njëjtit në emër të dëmit material për kamionin e dëmtuar i cili ka qenë i ngarkuar me ushqim për bagëti, t’ia paguajë shumën prej 4 mijë euro, me kamatë 3.5 % dhe atë nga data e parashtrimit të padisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, me anë të këtij aktgjykimi, gjykata e kishte obliguar të paditurën që paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në lartësi prej 724 euro, atë për ekspertin e makinerisë dhe të energjetikës në shumën prej 100 euro si dhe për përfaqësuesin e autorizuar në shumën prej 674 euro, si dhe në emër të taksave gjyqësore të paguajë shumën prej 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, thuhet se gjykata në kuptim të nenit 8 të LPK-së, kishte vërtetuar gjendjen faktike, duke i administruar provat materiale veç e veç.

Tutje, në arsyetim të aktgjykimit thuhet se gjykata gjendjen faktike e ka vërtetuar në bazë të ekspertizës së ekspertit të elektro-teknikës Myzhdat Xhini, në të cilën kishte konstatuar se gjatë rrugës në Suharekë për në fshatin Nishor, paditësi me kamion ka kaluar dy ura dhe atë në fshatin Reshtan dhe në fshatin Semetishtë, ku në këto dy ura, lartësia e telave elektrik të tensionit të ulët kanë lartësinë 4 metra nga toka.

Po ashtu, thuhet se bazuar në këto prova, ka konstatuar se ku është ndezur kamioni i paditësit, telat e rrymës kanë qenë nën 4 metra lartësi dhe pas dëmit të krijuar ndaj paditësit, e paditura e ka ndryshuar vijën e këtij rrjeti elektrik dhe në vend të shtyllave të drurit ka vendosur shtylla nga betoni dhe në bazë të standardeve për vendet e banuara, rrjeti i tensionit 04KW lartësia e sigurt duhet të jetë 5 metra nga toka.

Kurse, sa i përket dëmit material, nga ekspert i makinerisë ishte konstatuar se dëmi material i automjetit është 4 mijë euro.

Po ashtu, në këtë aktgjykim thuhet se gjykata duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar gjatë shqyrtimit kryesor, ka konstatuar se dëshmitarët B.K dhe S.E, të punësuar pranë të paditurës, kishin deklaruar se kanë rregulluar rrjetin elektrik dhe kanë pranuar se në ditën kritike e kanë parë kamionin e djegur në tërësi.

Andaj, sikur e paditura të kishte rrjetin në standarde prej 5 metra lartësi, thuhet se nuk do të kishte përgjegjësi, mirëpo në rastin konkret është vërtetuar se në vendin ku ka ndodhur dëmi material rrjeti elektrik në tension 04KW ka qenë nën 4 metra.

Më tutje, në këtë aktgjykim thuhej se bazuar në dispozitat e Ligjit mbi Elektro-energjetikën, e paditura ishte obliguar në mirëmbajtjen e rrjetit elektrik, andaj në rastin konkret për djegien e kamionit mban përgjegjësi.

Kundër, këtij aktgjykimi brenda afatit ligjor e paditura kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Lidhur me këtë çështje, Apeli më 11 korrik 2019, me aktvendimin Ac.nr.123/16 e ka aprovuar ankesën e të paditurës Korporata Energjetike e Kosovës- Distribucioni Prizren- njësia Suharekë dhe e ka prishur aktgjykimin e lartpërmendur, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se gjykata ka vlerësuar se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë rreth mënyrës së vendosjes, nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, me arsyetimin se aktgjykimi i atakuar është marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të LPK-së.

Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se  gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të drejtë, me çka sipas aktgjykimit ka ardhur edhe deri tek zbatimi apo aplikimi i gabuar i së drejtës materiale.

Gjykata e Apelit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestiomore, konstatimit jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, kishte vlerësuar se edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të gabuar, prandaj e kishte udhëzuar gjykatën  e shkallës së parë që në riprocedurë të bëjë eliminimin e shkeljeve dhe që fillimisht të vlerësojë prezumimet procedurale në fazën e shqyrtimit paraprak të padisë dhe në seancën përgatitore, të caktojë shqyrtimin kryesor dhe sipas propozimit të palëve të administrojë provat për vërtetimin e fakteve vendimtare, në atë mënyrë që fillimisht të konstatojë se në këtë rast a është konstatuar baza juridike sa i përket shkaktarit të incidentit.

Po ashtu, thuhet se vendimi të cilin do ta marrë, duhet të përmbajë të gjitha elementet e kërkuara ligjore siç përcaktohet me nenin 160 të LPK-së.

Kurse, Gjykata Themelore në Prizren, pas pranimit të lëndës nga Gjykata e Apelit dhe analizimit të vërejtjeve të dhëna nga e njëjta, ka marrë aktgjykim më 23 shtator 2020, me të cilin ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit K.

Sipas këtij aktgjykimi të Themelores, nuk qëndron pretendimi i paditësit se ka pasur ngarkesë në lartësi 3.60 deri në 3.70 m, pasi që po të ishte e vërtetë kjo rrethanë nuk do të vinte fare deri tek kontakti i ushqimit të bagëtive me përçuesit elektrik.

Gjykata po ashtu ka vlerësuar se është i pamohueshëm fakti se paditësit i është shkaktuar dëm në rastin e kontaktit me përçuesit elektrik, mirëpo për gjykatën nuk është plotësuar kushti i paraparë në nenin 136, par.1 të LMD-së.

Tutje thuhet se gjykata, pas mbajtjes së shqyrtimit, ka formuar bindjen se paditësi ka pasur ngarkesë në lartësi më të madhe se ajo që personalisht e ka deklaruar në seancë, andaj duke qenë në dijeni për këtë rrethanë për gjykatën, paditësi është dashur që me kujdes të vlerësojë terrenin ku tenton të futet me ngarkesën në atë mënyrë që t’i shmangej kontaktit me përçuesit elektrik.

Ndërsa, lidhur me këtë aktgjykim ankesë brenda afatit kishte paraqitur përfaqësuesja e paditësit, avokatja Ibadete Xhafa-Kuqi, e cila ankesë me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit më 9 mars 2022 ishte refuzuar si e pathemeltë, ndërsa aktgjykimi i 23 shtatorit 2020 ishte vërtetuar.

Në arsyetimin e aktgjykimit të kësaj gjykate, thuhet se qëndrimi dhe përfundimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë, përveç pjesës për kamatën, për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare.

Po ashtu, në arsyetim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë as në shkelje të tjera të dispozitave të procedurës kontestimore, për të cilat kanë pretenduar palët në ankesë.

Gjithashtu, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është në harmoni logjike dhe juridike dispozitivi me arsyetimin.

Në aktgjykim thuhet se referuar shkresave të lëndës, rezulton se me të drejtë pala e paditur ka konstatuar bazën juridike të kërkesëpadisë, pasi që nga provat e administruara, përkatësisht aktgjykimit të P.nr.. të 21 janarit 2020, ka rezultuar se ndaj të paditurës dhe personave përgjegjës të saj është refuzuar akuza për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, par. 6 të Kodit Penal, për çka në rastin konkret nuk ekziston përgjegjësia subjektive e të paditurës për kompensimin e dëmit të paditësit. /BetimipërDrejtësi