Shitja e parave të falsifikuara përmes “TikTok-ut”, arrestohen dy persona

09.08.2023

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE) ka ndërmarrë veprime hetimore disa mujore në zbulimin e personave të dyshuar të cilët përmes rrjetit social “Tik Tok” kanë qarkulluar video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara. Në njoftimin për media thuhet se gjatë […]

Shitja e parave të falsifikuara përmes “TikTok-ut”, arrestohen dy persona Foto: Ilustrim

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE) ka ndërmarrë veprime hetimore disa mujore në zbulimin e personave të dyshuar të cilët përmes rrjetit social “Tik Tok” kanë qarkulluar video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara.

Në njoftimin për media thuhet se gjatë punës operativo – hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit F.S. (1992), mashkull kosovar si dhe A.S. (1995), mashkull kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona, kinse do t’u shesin para të falsifikuara, mirëpo në anën tjetër i kanë mashtruar këta persona duke përfituar nga ta shuma të konsiderueshme të mjeteve materiale.

“Sot, më 09.08.2023, është zbatuar Plani Operativ përkatës ku hetuesit e S.H.K.E, në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për kontrollimin e shtëpisë së personit të dyshuar F.S. dhe njëkohësisht i dyshuari është arrestuar.

Gjithashtu është arrestuar edhe personi i dyshuar A.S. për të cilin janë siguruar prova se ka bashkëpunuar me personin tjetër F.S”, thuhet në raport.

Me aktvendim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Gjilan është iniciuar rasti ‘Mashtrimi’ nga neni 323 i KPRK-së dhe dy të dyshuarit e lartcekur dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve dhe kërkon nga qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla si dhe të bashkëpunojnë me policinë në parandalimin e veprave penale dhe dukurive negative.