Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj përmbarueses nga Suhareka që konfiskoi traktorin e personit të gabuar
Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prizren, të martën, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ndaj përmbarueses private në Suharekë, Saranda Kuçi. Kuçi po akuzohet se duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin në oborrin e […]
Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prizren, të martën, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ndaj përmbarueses private në Suharekë, Saranda Kuçi.
Kuçi po akuzohet se duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xhavit Gegaj, i cili nuk ishte pronë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarës Kuçi, avokat Sylë Hoxha ka thënë se qëndron në tërësi pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës të parashtruar më 26 gusht 2022 dhe se nuk ka propozime të tjera.
Deklarimin e avokatit të saj e përkrahi edhe e akuzuara Kuçi.
Prokurori Metush Biraj tha se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave sepse sipas tij, provat janë mbledhur në mënyrë të ligjshme.
Gjithashtu, ai tha se provat të cilat janë propozuar nga ana e mbrojtjes nuk janë relevante për këtë çështje penale si dhe ka propozuar gjykatës që të vazhdojë me procedurë penale.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Xhavit Gegaj, avokat Muhamet Shalaj ka thënë se e mbështet në tërësi deklarimet e prokurorit Biraj rreth kërkesës për hudhje të aktakuzës.
Ai ka shtuar se, aktakuza përmban prova të mjaftueshme dhe sipas tij, pas administrimit të tyre do të vërtetohet se nga veprimet e të akuzuarës Kuçi janë konsumuar elementet e veprës penale që i vihet në barrë.
I dëmtuari Gegaj ka deklaruar se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij dhe prokurorit Biraj.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 2 dhe 3 nëntor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 29 korrik 2022, Saranda Kuçi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare të saj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin e tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xhavit Gegaj.
Në aktakuzë thuhet se, e akuzuara Kuçi ka urdhëruar konsfikimin e traktorit i cili nuk ishte pronë e të dëmtuarit Gegaj, por pronë e të ndjerit H.B nga Suhareka, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit Bajrush Gashi NPT “Loni” nga Suhareka.
Me këto veprime, Saranda Kuçi po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi.