Morinë, arrestohet 32-vjeçari nga Kosova me çantë plot kanabis

28.08.2025

Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar të Morinës ka vënë në pranga një 32-vjeçar nga Kosova, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të kalonte kufirin me lëndë narkotike.

Shtetasi B. S., pasagjer në një automjet tip “BMW”, u ndalua për kontroll të detajuar në vijën e dytë të hyrjes në territorin shqiptar. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën në çantën e tij një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis. Lënda u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe ndaj 32-vjeçarit u mor masa e arrestit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë DVP Kukës për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës janë referuar materiale në Prokurori edhe për dy shtetas të tjerë:

  • N. A., 59 vjeç, banues në Shtiqen, pasi dyshohet se kishte vendosur targa të një automjeti tjetër në mjetin e tij.
  • A. G., 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili akuzohet për pengim të lëvizjes së lirë në rrugë, pasi kishte parkuar automjetin në mënyrë të parregullt.

Të gjitha materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme procedurale.