Mesatarisht 8 raste të dhunës në familje çdo ditë – prijnë Prishtina, Peja dhe Prizreni

07.09.2023

Që nga korriku i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti, janë raportuar 2,735 raste te dhunës në familje apo mesatarisht 8 raste te tilla te raportuara çdo ditë në vendin tonë. Nga këto raste, 80 për qind e viktimave janë gra. Ndërsa, regjionet që prijnë me më së shumti raste të dhunës […]

Mesatarisht 8 raste të dhunës në familje çdo ditë – prijnë Prishtina, Peja dhe Prizreni Foto: Ilustrim

Që nga korriku i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti, janë raportuar 2,735 raste te dhunës në familje apo mesatarisht 8 raste te tilla te raportuara çdo ditë në vendin tonë.

Nga këto raste, 80 për qind e viktimave janë gra. Ndërsa, regjionet që prijnë me më së shumti raste të dhunës janë Prishtina me 910 raste, Peja me 338 raste dhe Prizreni me 333 raste.

Kështu u bë e ditur në prezantimin e raportit të punuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), “Ballafaqimi me dhunën në familje në Kosovë: Trajtimi institucional ndaj dhunës në familje” (Korrik 2022- Qershor 2023).

Raporti po ashtu ka gjetur se rastet më të shpeshta janë në marrëdhëniet bashkëshort-bashkëshorte dhe se Policia e Kosovës mbetet institucioni i parë me i besueshëm për raportimin e këtyre rasteve.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, tha se përveç te gjeturave dhe rekomandimeve, raporti ka monitoruar edhe punën e sistemit gjyqësor ndaj dhunës në familje.

Ajo ka bërë të ditur se nga 2,735 raste te raportuara, viktima të dhunes ne familje ishin 2,165 gra dhe 559 burra.

“Nga 2,735 raste te raportuara, viktima të dhunës ne familje ishin 2,165 gra dhe 559 burra. Te dyshuarit janë mbi 80% burra”.

Ajo ka thënë se një e gjetur tjetër e raportit është se ndëshkimet për dhunuesit janë të vogla.

“Ekziston një politikë e dobët ndëshkuese. Vetëm 11 për qind e këtyre rasteve marrin dënim me burg. Edhe aktakuzat e Prokurorit kanë mangësi”.

Burimet e të dhënave, siç bëri të ditur prezantuesi i këtij raporti, Liridon Salihi, janë marrë nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Dhuna ne familje vazhdon te jete fenomen negativ ne rritje ne Kosove. Gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës ne familje. Shumica e rasteve te dhunës në familje ndodhin në raportin bashkëshort bashkëshorte dhe anasjelltas”.

“Policia e Kosovës edhe me tutje mbetet institucioni i pare me i besueshëm për raportimin e kriminalitetit përfshirë këtu edhe dhunën ne familje. Aktakuzat janë te mangëta dhe kanë probleme në aspektin e kualifikimit të veprës penale. Gjykatat vazhdojnë te trajtojnë me prioritet rastet e dhunës në familje por sfide mbeten dënimet e ultë ndaj kryerësve të kësaj vepre penale”, ka thënë ai.

“Mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa rreth 20 për qind e tyre janë gra. Nga kjo statistikë i bie që në çdo pesë persona të dyshuar si kryes të dhunës ne familje, katër prej tyre janë burra dhe një është grua”

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përmendur disa nga veprimet gjatë qeverisjes së saj kundër dhunës në familje.

Sipas saj, kjo është Qeveria e parë që e ka prioritet këtë çështje.

“Raportet si ky na tregojnë edhe neve si institucione gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe trajtimin e rasteve të cilat janë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë. Që nga viti 2021, dhuna ndaj familjes dhe dhuna ndaj grave është prioritet”, tha Haxhiu.

“Disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë dhe asnjëherë në të kaluarën dhuna në familje nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie, e kemi votuar Strategjinë për dhunën në familje. Tani jemi të fokusuar ta zbatojmë atë. Kemi ofruar ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje. Kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për t’i dekurajuar dhunuesit qe të ushtrojnë dhunë. Kemi përgatitur shumë fushata vetedijësuese dhe po përgatitemi për një në nëntor. Bashkë me Ministrinë e Financave po punojmë për pakon për punësimib e grave viktima”, u shpreh ajo.

Ajo po ashtu tha se nuk mendon se janë rritur rastet, por raportimet.

“Ju e përmendet që rastet e dhunës janë rritur, por unë mendoj se është rritur raportimi”, tha Haxhiu.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Sabit Salihaj, ka konsideruar se Gjykata jep dënime meritore për rastet e dhunës në familje.

“Edhe pse jemi shumë të ngarkuar, këto lëndë janë me prioritet dhe i përfundojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Çdo herë ka vend për përmirësime, por mendoj se po bëjmë një punë të mirë, siç u pa edhe në raport. Gjykata i përcakton dënimet sipas minimumit dhe maksimumit sipas Kodit Penal. Mendoj se Gjykata jep dënime të merituara”, u shpreh ai.