Kufizimi i kompensimit për udhëtime zyrtare shpallet i paligjshëm nga Gjykata Supreme

18.12.2025

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), të paraqitur kundër Qeverisë së Kosovës, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Në njoftimin zyrtar të Gjykatës bëhet e ditur se KDI kishte parashtruar padi për shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti nënligjor, duke argumentuar se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi, përkatësisht me Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas njoftimit, në muajin korrik 2025, KDI kishte pranuar ankesa nga një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kishin raportuar shkelje të ligjit lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka konstatuar se neni 6 i rregullores përkatëse vendoste një kufizim, sipas të cilit shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbuloheshin për periudha më të gjata se një muaj. Megjithatë, sipas Gjykatës, një kufizim i tillë nuk parashihet në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

“Në ligj garantohet qartë e drejta e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor. Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Tutje, Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk përbën thjesht një rregull teknik, por cenon thelbin e së drejtës së garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

“Si përfundim, Gjykata Supreme shfuqizon këtë nen të paligjshëm”, thuhet në vendim.

Ky vendim konsiderohet i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve publikë dhe forcimin e parimit të ligjshmërisë në nxjerrjen e akteve nënligjore nga institucionet qeveritare.