Gjykimi ndaj dy ish-zyrtarëve të Komunës së Suharekës, kjo është deklarata e dëshmitarit

22.11.2022

Prizren-Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin ndaj ish-drejtoreshës së Inspekcionit, Jehona Rrafshi – Lumi dhe inspektorit të ndërtimit Hafir Maliqaj në Suharekë, është dëgjuar dëshmitari Xhevdet Rexhepi, me ç’rast ka deklaruar se nuk është në dijeni për inspektimet rreth ndërtimit të objektit “Viva Fresh”, pronë e tij. “Unë nuk kam informatë lidhur […]

Gjykimi ndaj dy ish-zyrtarëve të Komunës së Suharekës, kjo është deklarata e dëshmitarit Foto: Ilustrim

Prizren-Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin ndaj ish-drejtoreshës së Inspekcionit, Jehona Rrafshi – Lumi dhe inspektorit të ndërtimit Hafir Maliqaj në Suharekë, është dëgjuar dëshmitari Xhevdet Rexhepi, me ç’rast ka deklaruar se nuk është në dijeni për inspektimet rreth ndërtimit të objektit “Viva Fresh”, pronë e tij.

“Unë nuk kam informatë lidhur me inspektimet në këtë objekt, pasi që me këto merren personat e caktuar të cilët janë të autorizuar”, ka thënë Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk është në dijeni se objekti i ndërtuar “Viva Fresh” posedon leje të ndërtimit apo jo.

“Unë jam pronar i Viva Freshit, unë nuk mirrna me qeto sene hiq, as për rregullimin e dokumentacionit, as projekteve, as nuk kam shku me pa ku u kon dyqani”, ka thënë Rexhepi.

Në përgjigjet e pyetjeve të kryetares së trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, dëshmitari ka thënë se objekti në fjalë është duke punuar ende.

Në fund, ai tha se për ndërtimin e objekteve zakonisht lidhen kontrata afatgjate mbi shfrytëzimin e asaj prone e që mund të jetë pronë private apo komunale.

Në këtë seancë, prokurori Metush Biraj ka thënë se mbetet pranë propozimit për dëgjimin e dëshmitarit Sinan Vrella për sqarimin e rrethanave rreth procedurës dhe obligimeve të investitorit për lejet ndërtimore.

Propozimin e prokurorit Biraj, nuk e kanë kundërshtuar e akuzuara Lumi dhe i akuzuari Maliqaj si dhe mbrojtësit e tyre avokatët, Hajrip Krasniqi dhe Fatmir Jëlliqi.

Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar të mbahen më 12 dhe 21 janar 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës ” AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e konkluzionit, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të komunës se Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit t’a mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmerr masa që investitorit t’i lejojë afat për trenim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.