Dërgohet në ndërmjetësim rasti për uzurpim të banesës familjare në Suharekë
Aprovimin e një propozimi të tillë e bëri gjykatësi Qemail Suka në gjykimin ndaj të akuzuarit R.Z, i cili po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar banesën familjare që gjendet në rrugën “Fidanishtja” në Suharekë, pronë e të dëmtuarit H., raporton “Betimi për Drejtësi”. I dëmtuari H., më 19 korrik 2022, i ka paraqitur […]
Aprovimin e një propozimi të tillë e bëri gjykatësi Qemail Suka në gjykimin ndaj të akuzuarit R.Z, i cili po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar banesën familjare që gjendet në rrugën “Fidanishtja” në Suharekë, pronë e të dëmtuarit H., raporton “Betimi për Drejtësi”.
I dëmtuari H., më 19 korrik 2022, i ka paraqitur gjykatës parashtresën me të cilën ka kërkuar që lënda të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.
Prokurori Shpend Binaj, nuk e ka kundërshtuar propozimin e palës së dëmtuar dhe ka shtuar se e njëjta është në pajtim me dispozitat ligjore.
Gjithashtu, këtë propozim nuk e ka kundërshtuar edhe mbrojtësja e të akuzuarit Z., avokate Nadire Hoxha.
Po ashtu, i akuzuari Z. ka thënë se pajtohet që lënda të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.
Në seancë nuk ishte i pranishëm i dëmtuari H. për të cilin gjykatësi Suka tha se i njëjti ka njoftuar gjykatën që për shkaqe objektive nuk mund të jetë prezent.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari R.Z nga data e pavërtetuar e vitit 1999 e në vazhdimësi, në mënyrë të kundërligjshme, uzurpon pronën e paluajtshme- banesën familjare që gjendet në rrugën “Fidanishtja” në Suharekë, sipas ngastrës kadastrale 0-721160-46-02784-1-82-1-7-0 Zona Kadastrale në Suharekë, pronë e të dëmtuarit H.H. nga fshati Gjinoc, Komuna e Suharekës.
Seanca e shqyrtimit fillestar të çështjes muaj më parë është mbajtur edhe nga gjyqtari Robert Tunaj, por pasi që i njëjti lidhur me këtë çështje ka vendosur më parë në procedurë kontestimore, ka kërkuar lirimin e tij nga kjo lëndë.
Në këto rrethana gjykimi ka filluar nga e para, ku gjyqtar i kësaj çështje është caktuar Qemail Suka./BetimipërDrejtësi