“Damart e qafës kam me t’i kputë me thikë”/ Kërcënohet drejtori i shkollës në Reshtan pasi u përjashtua arsimtarja me shami

06.09.2022

Drejtori i Shkollës “Flamuri i Arbrit” në fshatin Reshtan të Suharekës është kërcënuar seriozisht nga një qytetar në rrjetin social Facebook, pas vendimit të Këshillit Drejtues të shkollës për përjashtimin nga puna të arsimtares që bartte shami. Tashmë nga Prokuroria kanë njoftuar se është iniciuar rast, kjo me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Sinjali mëson […]

“Damart e qafës kam me t’i kputë me thikë”/ Kërcënohet drejtori i shkollës në Reshtan pasi u përjashtua arsimtarja me shami Foto: Ilustrim

Drejtori i Shkollës “Flamuri i Arbrit” në fshatin Reshtan të Suharekës është kërcënuar seriozisht nga një qytetar në rrjetin social Facebook, pas vendimit të Këshillit Drejtues të shkollës për përjashtimin nga puna të arsimtares që bartte shami.

Tashmë nga Prokuroria kanë njoftuar se është iniciuar rast, kjo me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Sinjali mëson se në dëshminë e drejtorit të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në vazhdimësi është sharë e kanosur në rrjete sociale nga persona të ndryshëm. Ndër kërcënimet që ka marrë, sipas informacioneve të para është edhe një mesazh me fjalët “damarët e qafës kam me t’i kputë me thikë”.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër të nisin hetimet për veprën penale “Kanosja”.

Fshati Reshtan, Suharekë 03.09.2022 – 19:30. Ankuesi mashkull kosovar (drejtor shkolle) ka raportuar se si pasojë e largimit nga puna të një mësimdhënëseje përmes rrjeteve sociale është duke u kanosur nga një grup i personave, ku njëri prej tyre është i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Kërcënimet ndaj tij dyshohet se kanë ardhur pasi u përjashtua nga puna, arsimtarja e kësaj shkolle, Remzie Lez, për shkak të bartjes së shamisë. Ky vendim është marrë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, që në mënyrë unanime, ka vendosur që Lezi të përjashtohet nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj.

“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.