Arrestohet në Kosovë shtetasi suedez A.B., i dyshuar për shit-blerje armësh
Policia e Kosovës njofton për arrestimin e një personi të dyshuar për krim të organizuar dhe disa vepra të tjera penale. Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar A. B., me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rajonin e Prishtinës.
Ai dyshohet për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal, importit dhe shitjes së paautorizuar të armëve, falsifikimit të dokumenteve dhe vjedhjes së identitetit.

Sipas Policisë, A. B. dyshohet se si drejtues i grupit kriminal ka blerë armë dhe municione për t’i transportuar dhe shitur, si dhe ka falsifikuar dokumente me qëllim mashtrimi dhe ka vjedhur identitet të huaj. I dyshuari është shtetas suedez dhe ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Suedisë. Arrestimi i tij u realizua më 1 dhjetor 2025, pas bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar mes Policisë së Kosovës dhe autoriteteve suedeze.
Gjatë kontrollit në shtëpinë ku qëndronte i dyshuari, janë sekuestruar 52,480 euro të gatshme, dokumente të dyshuara të falsifikuara, tre telefona celularë, një orë Rolex, një HDD, një DVR dhe një veturë. Ky arrest i shtohet një operacioni të mëparshëm të datës 12 mars 2023, gjatë të cilit u konfiskuan 20 armë AK-47, 20 karikatorë, dy automjete, gjashtë telefona dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.
I dyshuari ndalohet për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së pararrestimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale riafirmojnë angazhimin e tyre të palëkundur në luftimin e krimit të organizuar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në goditjen e grupeve kriminale transkufitare dhe sjelljen e kryerësve para drejtësisë.