Arrestohet N.S., i dyshuar për falsifikim dokumentesh për mbi 50 shtete

02.12.2025

Sistemi prokurorial i Kosovës ka njoftuar arrestimin e N.S., i dyshuar për pjesëmarrje në një grup kriminal të organizuar dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Laboratori 25”. Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Sipas hetimeve, ekziston dyshimi i bazuar se N.S., në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 24 janar 2025, në lagjen Qëndresa të Prishtinës, ka kryer veprime të kundërligjshme me qëllim përfitimi pasuror. Ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente publike si pasaporta, patenta shoferi dhe dokumente të tjera për më shumë se 50 shtete të botës.

Laboratori, i marrë me qira në emër të N.S., ishte i pajisur me aparatura për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat kishin për qëllim të prezantohen dhe përdoren si origjinale.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, po vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, për të siguruar zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.