Arrestohet Fatmir Sheholli për dyshime në spiunazh, Sveçla: “Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe prokurorinë, ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshime të bazuara për përfshirje në aktivitete të spiunazhit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një reagimi publik.
Ministri Sveçla tha se ky është një nga rastet më serioze që lidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke paralajmëruar trajtim të lartë institucional ndaj tij. “Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Sipas ministrit, Sheholli ka pasur hapësira të pakufizuara mediatike në vend, ndërsa ndërkohë ka bashkëpunuar me akterë që punojnë çdo ditë për të minuar shtetin e Kosovës dhe progresin e tij. Sveçla shtoi se institucionet do të mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e vendit nga çdo individ ose grup që tenton ta rrezikojë për përfitime personale.
“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, përfundoi Sveçla.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.