Arrestohen tre persona për keqpërdorim të kartelave bankare dhe vjedhje të identitetit
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të suksesshëm në luftimin e krimeve kibernetike, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare dhe vjedhjen e të dhënave personale.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhër të gjykatës, më datën 31 korrik në rajonin e Prishtinës. Fillimisht, dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, janë arrestuar nën dyshimet për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit në bashkëveprim kishin përdorur kartela bankare të bardha (bllanko), duke shpërndarë video në rrjete sociale ku tregonin tërheqjen e parave nga bankomatet, si dhe promovonin përdorimin e këtyre kartelave përmes faqeve të ndryshme në internet.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, janë sekuestruar disa pajisje të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprimtarive të paligjshme, përfshirë:
- 2 kompjuterë,
- 1 llaptop,
- 2 telefona mobil,
- 3 USB,
- 1 hard-disk (HDD).
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërkohë që hetimet kanë vazhduar edhe pas ditës së operacionit.
Më 1 gusht 2025, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e tretë të dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se është pjesë e të njëjtit grup. Edhe ai është ndaluar me vendim të prokurorit kompetent.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për luftimin e krimeve kibernetike dhe u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, duke mos u bërë viktimë e mashtrimeve apo vjedhjeve të mundshme në platformat digjitale.