“AgroKosova Holding” dhe Komuna e Suharekës thonë se s’janë dëmtuar nga veprimet e ish-drejtoreshës së Inspekcionit dhe inspektorit të ndërtimit

13.07.2022

Në këtë rast, e akuzuara Rrafshi-Lumi, ish-drejtoreshë e Inspekcionit dhe Maliqaj, inspektor i ndërtimit në Komunën e Suharekës, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i shkaktuar dëm kompanisë private “AgroKosova Holding” dhe Komunës së Suharekës, raporton “Betimi për Drejtësi”. Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj se a njeh investitorin Blerim Gashi, dëshmitari Tafaj ka […]

“AgroKosova Holding” dhe Komuna e Suharekës thonë se s’janë dëmtuar nga veprimet e ish-drejtoreshës së Inspekcionit dhe inspektorit të ndërtimit

Në këtë rast, e akuzuara Rrafshi-Lumi, ish-drejtoreshë e Inspekcionit dhe Maliqaj, inspektor i ndërtimit në Komunën e Suharekës, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i shkaktuar dëm kompanisë private “AgroKosova Holding” dhe Komunës së Suharekës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj se a njeh investitorin Blerim Gashi, dëshmitari Tafaj ka thënë se të njëjtin e ka klient dhe se me të ka të lidhur një kontratë mbi qiranë.

Ai ka shtuar se nuk ndihet i dëmtuar sepse në kontratën afatgjate mbi qiranë, ekziston një klauzolë që është kthimi në gjendje të mëparshme të parcelës, e cila është objekt i kontratës.

“Në klauzolën të cilën e posedon kjo kontratë, është kthimi në gjendje të mëparshme të parcelës e cila është objekt i kontratës, prandaj nuk e konsideroj veten të dëmtuar”, tha dëshmitari Tafaj.

Tutje, i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësit Luan Berisha se a kanë specifikuar në kontratën me investitorin Gashi ndonjë paragraf për lejim apo moslejim të veprimeve, dëshmitari Tafaj ka thënë se nuk kanë specifikuar asnjë prej tyre.

Kurse, avokati Qazim Hasanaj ka thënë se nuk ndjehen të dëmtuar ngase në pronën ku është ndërtuar objekti afarist “Viva Fresh” nuk është pronare Komuna e Suharekës.

“Objekti është ndërtuar në 3 ngastra, në ngastrën kadastrale numën 00110-3, ngastrën numër 00113-4, pronë e Hajriz Bytyqit dhe në ngastrën 00111-0, pronë shoqërore “Ujërat”, me të cilën menaxhon Ministria e Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor (MMPH)”, tha avokati Hasanaj.

Fillimisht, në këtë seancë, prokurori Biraj në deklarimin hyrës të tij ka thënë se nga provat e materiale dhe personale që janë pjesë përbërëse e aktakuzës, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer këto vepra penale.

Pretendime të kundërta me prokurorin Biraj, shprehën në fjalët e tyre hyrëse, mbrojtësit e dy të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarës Rrafshi-Lumi, avokato Hajrip Krasniqi ka thënë se e mbrojtura e tij ka zbatuar dispozitat ligjore dhe se gjatë administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e saj.

“E njëjta ka marrë konkluzionin numër 109, më 26 maj 2020 dhe në bazë të këtij konkluzioni ka vepruar ashtu që ka rrënuar në tërësi objektin e ndërtuar pa leje nga investitori Gashi në pronën e “AgroKosova Holding”, tha Krasniqi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Maliqaj, avokati Fatmir Jëlliqi ka thënë se aktakuza e prokurorisë nuk mbështetet në provat e pretenduara dhe se nuk ka sqarime të mjaftueshme ligjore.

Po ashtu, në fillim të kësaj seance, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar nga palët, dy të akuzuarit sërish mohuan fajësinë për veprat që u ngarkohen.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha tha se do të ftohen dëshmitarët Blerim Gashi dhe Xhevdet Rexhepi.

Andaj, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seanca e radhës është caktuar më 15 shtator 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

LEXO EDHE:  Suharekë, arrestohet i dyshuari pasiqë vazhdimisht kishte rrahur babain

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të 26 majit 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e konkluzionit, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3, pika 3.6 të Kodit Penal.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas 29 majit 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmerr masa që investitorit t’i lejojë afat për trenim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi