ZRrE propozon rritje 15% të tarifave të energjisë elektrike

para 34 dite

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRrE) ka lëshuar një propozim që mundet të ndikojë ndjeshëm në xhepat e qytetarëve.

ZRrE propozon rritje 15% të tarifave të energjisë elektrike

Sipas një raporti konsultativ të publikuar të premten, ZRrE ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke filluar nga muaji prill.

Ky vendim vjen pas kërkesave të tre kompanive kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë – KOST, KEDS dhe KESCO – të cilat kanë argumentuar se rritja e kostove të importit të energjisë elektrike e bën të pashmangshëm shtrenjtimin e tarifave.

“Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publik ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%,” thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

ZRrE-ja ka hapur një periudhë konsultimi publik deri më 28 mars, duke ftuar të gjitha palët e interesuara të japin komente dhe sugjerime mbi propozimin e ri. Shqyrtimi dhe caktimi i përvitshëm i tarifave të rrymës nga ZRrE-ja bëhet çdo 1 prill dhe vlen deri më 31 mars të vitit pasues.

Kjo rritje e mundshme e tarifave të energjisë elektrike pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në buxhetin e familjeve kosovare, duke shtuar barrën e kostove të jetesës. Ndërkohë, kompanitë e energjisë argumentojnë se kjo rritje është e nevojshme për të mbuluar kostot e larta të importit dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Etiketat

Ofertat e fundit