Zjarrfikësi lëndohet gjatë intervenimit për ta shuar zjarrin në një hotel në Prishtinë

20.02.2024

Një zjarrfikës është lënduar gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në një objekt në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë.

Zjarrfikësi lëndohet gjatë intervenimit për ta shuar zjarrin në një hotel në Prishtinë Foto: Ilustrim

Sipas ekipit të Telegrafit që ndodhet në vendin e ngjarjes, zjarrfikësi ka pësuar lëndime të lehta trupore. I njëjti ka pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.

Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka thënë për Telegrafin se nuk dihen shkaqet apo rrethanat e këtij incidenti.

“Jemi në vendin e ngjarjes duke intervenuar për fikjen e zjarrit. Rrethanat ende nuk dihen se si ka ardhur deri tek zjarri”, ka deklaruar ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 09:45, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën Ukshin Hoti në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një objekt”, ka thënë Ahmeti.

Ajo tutje ka bërë të ditur se në vendngjarje përveç zjarrfikësve, ka dalë edhe policia e cila po merret me rastin.