Zgjedhjet e brendshme në AAK Suharekë, “jo reformë por riciklim”, thotë Dr. Samir Bytyçi
Dr. Samir Bytyçi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet brenda degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Suharekë, duke shprehur kritika për mënyrën se si po organizohen zgjedhjet e brendshme.
Ai ka theksuar se edhe këtë herë, sipas tij, procesi po zhvillohet me të njëjtin model organizimi dhe me të njëjtët njerëz, duke ndryshuar vetëm rolet mes tyre.
Bytyçi ka shtuar se prej vitesh, sipas tij, struktura partiake është dominuar nga grupe interesi që kanë lënë anash kontribuuesit e hershëm të partisë.
Në reagimin e tij, ai ka vlerësuar se ndonëse prurjet e reja janë të nevojshme për çdo subjekt politik, përjashtimi i figurave me kontribut dhe përdorimi i të rinjve për interesa të ngushta nuk përbën reformë të vërtetë, por “manipulim”.
Ai ka theksuar gjithashtu se zgjedhjet e brendshme duhet të jenë garë e drejtë dhe vlerësim i meritës, e jo riciklim i të njëjtit rreth, duke paralajmëruar se pa respekt për kontributin nuk mund të ketë besim, unitet dhe të ardhme të qëndrueshme.
Në fund të postimit, ai ka uruar sukses për rrugën që po ndjekin strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Suharekë.
