Zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, Murati thotë se nevojiten edhe 5 vota
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe.
Foto: Ilustrim
Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Ministri në detyrë i Financave tha para gazetarëve se “Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese”.
Murati tha se deputetit serb, Nenad Rashiq i nevojiten edhe pesë vota për t’u zgjedhur nënkryetar.
“120 deputetëve u takon që të bëjnë çmos, që të votojnë, të votojnë fillimisht për, kundër dhe abstenim dhe të mos shkelin Kushtetutën siç kanë bërë disa deputetë të opozitës në seancën e kaluar si dhe në anën tjetër edhe kur të votojnë, ta kenë parasysh interesin shtetëror në mënyrë që të votohet për një kandidat i cili do të merrte votat. D
he siç e dimë herën e fundit zotëri Nenad Rashiq kishte marrë 56 vota, krejt çfarë nevojiten janë edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta përfunduar këtë sagë”, ka shtuar Murati.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës po mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.