Zejnullah Gashi propozohet për Kryeprokuror të Shtetit, KPK-ja ia dërgon emrin presidentes për dekretim

13.07.2026

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Zejnullah Gashin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pas votimit të zhvilluar në mbledhjen e 298-të të këtij institucioni.

Gashi mori pesë vota në votimin e fshehtë të KPK-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për t’u propozuar për dekretim te presidentja e Kosovës. Kandidati tjetër, Rafet Halimi, mori një votë, ndërsa kandidatët e tjerë nuk morën vota.

Në procesin e përzgjedhjes morën pjesë pesë kandidatë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.

Sipas rezultateve të Panelit Vlerësues, Gashi ishte kandidati me pikët më të larta në intervistim, me 91.6 pikë. Pas tij u renditën Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.

Pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesave, KPK-ja vendosi që emri i Zejnullah Gashit t’i propozohet presidentes së Kosovës për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.