Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin në pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Sipas burimeve të IndeksOnline brenda Presidencës, dekretimi i Gashit vjen një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e kishte nominuar atë për këtë pozitë dhe ia kishte përcjellë emrin për dekretim.
Në garën për Kryeprokuror të Shtetit ishin pesë kandidatë: Zejnullah Gashi, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu.
Pas procesit të intervistimit, Paneli Vlerësues kishte renditur kandidatët me pikë, ku Zejnullah Gashi kishte marrë rezultatin më të lartë me 91.6 pikë, i ndjekur nga Atdhe Dema me 89.3 pikë.
Procesi i përzgjedhjes ishte shoqëruar edhe me një ankesë nga kandidati Atdhe Dema, por Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte refuzuar atë më 10 korrik.
Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ishte hapur pas vendimit të KPK-së për shpalljen e konkursit më 18 maj 2026, ndërsa procesi i përzgjedhjes u zhvillua gjatë muajve në vijim.
