Vitia: Po nisim një epokë të re për të mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave

14.07.2023

Kuvendi i Kosovës ditën e enjte ka miratuar projektligjin për produkte medicinale, që parasheh që çmimi  barnave të jetë i njëjtë në çdo barnatore. Pas votimit të këtij ligji, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se ky ligj është për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi i çmimeve të barnave. “Sot Kuvendi i Republikës votoi […]

Vitia: Po nisim një epokë të re për të mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave

Kuvendi i Kosovës ditën e enjte ka miratuar projektligjin për produkte medicinale, që parasheh që çmimi  barnave të jetë i njëjtë në çdo barnatore.

Pas votimit të këtij ligji, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se ky ligj është për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi i çmimeve të barnave.

“Sot Kuvendi i Republikës votoi Ligjin për çmimin e produkteve medicinale. Falënderime të gjithë deputetëve të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan që ky ligj të bëhet sot realitet.
Të dashur qytetarë, Me këtë ligj nisim një epokë të re për ta mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave”, ka deklaruar ai.

Ministri ka shtuar tutje se “Na pret një punë e madhe deri tek jetësimi i plotë i Ligjit të ri. Por jemi bërë gati që ta realizojmë pa asnjë vonesë”.

Ministri Vitia më herët kishte deklaruar se është hera e parë që nga paslufta që në Kosovë po bëhet një rregullim i tillë. Gjithashtu, ai kishte njoftuar se do të rrisin numrin e inspektorëve shëndetësore.

Ndërkaq, ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij po e përmbush premtimin për rritjen e numrit të inspektorëve shëndetësorë në vend.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nga 12 inspektorë shëndetësorë, ky numër do të rritet për 25 sosh.

Ai ka ftuar të gjithë të kualifikuarit të konkurrojnë për këtë pozitë.

“Ashtu siç kemi premtuar numri i inspektorëve po rritet. Vetëm 12 inspektorë shëndetësorë ishin në Republikën e Kosovës. Shumë shpejt numri i tyre do të rritet për 25 sosh. Pra, po e bëjmë trefishimin e numrit të inspektorëve shëndetësor, duke e ngritur atë në 37. Kjo padyshim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Të gjithë ju të kualifikuar për këtë pozitë ju ftoj që të konkurroni”, kishte deklaruar Kurti