Veteranët e UÇK-së kundër Qeverisë, bojkotojnë festimet e 17-vjetorit të Pavarësisë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka njoftuar se nuk do të bashkëpunojë me institucionet e Qeverisë së Kosovës në festimet e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kryesia e OVL UÇK-së, në një vendim të datës 13 shkurt 2025, ka arsyetuar këtë vendim me mungesën e gatishmërisë së Qeverisë për të bashkëpunuar me organizatën, duke i përjashtuar nga çdo formë financimi dhe mbështetjeje ligjore e institucionale.
Sipas OVL UÇK-së, Qeveria aktuale ka shkelur të drejtat e tyre, duke i lënçuar, ofenduar, përjashtuar dhe persekutuar. Për këtë arsye, veteranët e luftës kanë vendosur që të organizohen nëpër degët e tyre në çdo komunë të Kosovës për të festuar dhe nderojë heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën e UÇK-së në dy datat historike.
Kryesia e OVL UÇK-së ka bërë të ditur se do të organizohen në mënyrë të pavarur nga Qeveria, duke ftuar të gjithë veteranët dhe qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në këtë përpjekje për të ruajtur dhe përkujtuar trashëgiminë e luftës së UÇK-së.