Vetëm përgjatë vitit 2023, KEDS zuri 6,715 konsumatorë duke vjedhur rrymën

22.01.2024

Vetëm përgjatë vitit 2023, fiks 6,715 konsumatorë-keqpërdorues të energjisë elektrike, janë detyruar t’i rikthejnë humbjet, që konsiderohet hapi i parë në kuadër të një sërë pasojash që i presin ata, njofton zyra për informim e KEDS-it. Bëhet e ditur se vlera më e madhe që një konsumator komercial është detyruar t’ia kthejë KEDS-it në kuadër […]

Vetëm përgjatë vitit 2023, KEDS zuri 6,715 konsumatorë duke vjedhur rrymën Foto: Ilustrim

Vetëm përgjatë vitit 2023, fiks 6,715 konsumatorë-keqpërdorues të energjisë elektrike, janë detyruar t’i rikthejnë humbjet, që konsiderohet hapi i parë në kuadër të një sërë pasojash që i presin ata, njofton zyra për informim e KEDS-it.

Bëhet e ditur se vlera më e madhe që një konsumator komercial është detyruar t’ia kthejë KEDS-it në kuadër të rikthimit të humbjeve vitin e kaluar është 52,489.64 euro.

“Vetëm përgjatë vitit 2023, nga afro 100 mijë kontrolle, KEDS zuri fiks 6,715 konsumatorë-keqpërdorues duke e vjedhë energjinë elektrike. Për këtë periudhë ata janë obliguar t’i rikthejnë humbjet, që konsiderohet hapi i parë në kuadër të një sërë pasojash që i presin ata… Fenomeni i keqpërdorimit të energjisë elektrike që në praktikë klasifikohet si humbje komerciale, është i barabartë me diferencë ndërmjet energjisë së konsumuar dhe energjisë së faturuar. Humbjet komerciale po shkaktohen nga lidhjet direkt në rrjet, manipulimet në njehsorët elektrikë dhe metoda të tjera klandestine të devijimit nga pika matëse nga konsumatorë të pandërgjegjshëm”, njofton KEDS.

Si rezultat, njofton KEDS, humbjet komerciale nga vjedhja e rrymës janë obligim ligjor që t’i rikthehen kompanisë nga vetë keqpërdoruesit e energjisë elektrike. E njohur si “Rikthim i Humbjeve”, kjo metodë përkon me rregullën në fuqi të autoritetit mbikëqyrës, ZRRE, kalkulimi i të cilit bëhet deri në gjashtë muaj për konsumatorët shtëpiakë dhe deri në një vit për ata komercialë.

KEDS thotë se po vazhdon të realizojë rreth katërqind kontrolle ditore në mbarë Kosovën për identifikimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike, duke e rritur numrin e ekipeve të kontrollit dhe intensifikimin e tyre. “Si kompani që po ecën në hap me trendet më të reja teknologjike-energjetike, KEDS ka të instaluara pajisje moderne nëpër stabilimente elektroenergjetike për monitorimin e rrjedhës së energjisë deri te secili konsumator”.

KEDS u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e keqpërdorin energjinë elektrike, sepse herët ose vonë do duhet të paguajnë për dëmet dhe e vetmja formë e mosndëshkimit është përdorimi i ligjshëm i saj.