Vetëm 19% e fëmijëve të moshës deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm

23.03.2022

Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se rritja e pjesëmarrjes është e ndërlikuar për shkak të kufizimeve infrastrukturore. Ata thonë se për këtë qëllim është e nevojshme që të investohet në të gjitha rajonet e vendit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 19 për qind e fëmijëve të moshës 0 deri në 6 […]

Vetëm 19% e fëmijëve të moshës deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm Foto: Ilustrim

Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se rritja e pjesëmarrjes është e ndërlikuar për shkak të kufizimeve infrastrukturore. Ata thonë se për këtë qëllim është e nevojshme që të investohet në të gjitha rajonet e vendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 19 për qind e fëmijëve të moshës 0 deri në 6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Iliriana Pylla, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se ministria e ka prioritet edukimin e hershëm dhe shumë shpejt do të jetë gati Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

“Vetëm 19 për qind e fëmijëve 0 deri në 6 vjeç vijojnë edukimin në fëmijërinë e hershëm në Kosovë. Këto janë të dhëna që ne, si ministri i kemi. Kjo sigurisht është një shifër shumë e ulët e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, gjë që ne na bën të punojmë dhe reflektojmë shumë më tepër. Synimi i ministrisë është që të përfshihen të gjithë fëmijët pa përjashtim në edukimin e hershëm”, tha ajo.

Se shumë prindër po përballen me këtë problem, e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën, Shqipe Bytyqi, nga fshati Arllat, Komuna e Drenasit. Ajo tha se në mungesë të institucioneve edukative arsimore po detyrohen që fëmijët t’i mbajnë në shtëpi.

“Shumë problem është kjo çështje për nënat dhe fëmijët e sidomos për ne që jetojmë në zonat rurale se nuk kemi kopshte afër. Më të vërtetë është shumë e nevojshme që fëmijët të jenë në proces edukativ. Por për shkak të mungesës së kopshteve, po detyrohemi që fëmijët t’i mbajmë në shtëpi”, tha ajo.

E njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se edukimi në fëmijërinë e hershme është shumë i rëndësishëm, sepse ndikon drejtpërdrejt në edukimin e tyre. Rinor Qehaja, nga Instituti “ Edguard” se Kosova ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rolin e edukimit në fëmijërinë e hershme.