Ushtarët armenë të KFOR-it zhvillojnë trajnim me helikopter në Prishtinë
Ushtarë nga kontingjenti armen i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO kanë kryer një trajnim të specializuar me helikopter në selinë e KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Aktiviteti kishte si synim kryesor përmirësimin e procedurave standarde të hipjes dhe zbritjes nga helikopterët. Ky trajnim synon të rrisë kapacitetet e dislokimit ajror të trupave të KFOR-it, duke siguruar një reagim më të shpejtë dhe efikas në terren.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX),” thuhet në njoftimin e KFOR-it të publikuar në Facebook.
Ky trajnim demonstron angazhimin e KFOR-it për të ruajtur dhe përmirësuar gatishmërinë operacionale të të gjitha kontingjenteve të tij, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.