U raportua se në fundvit temperaturat do të arrijnë –20°C, IHMK del me reagim
Në ditët e fundit, në media dhe portale janë shpërndarë lajme që ky fundvit do të shoqërohet me temperatura ekstreme deri në –20°C dhe me borë, gjë që ka shkaktuar konfuzion dhe shqetësim tek qytetarët.
Foto: Herolind Bytyçi | HALLKA
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar duke theksuar se është i vetmi institucion zyrtar që mund të publikojë parashikime dhe paralajmërime meteorologjike në Kosovë, në përputhje me ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike.
Sipas ligjit, neni 9, pika 2, parashikon se:
“Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së.”
Çdo informacion për motin i dhënë nga subjekte apo individë të tjerë është jo ligjor, jo profesional dhe shkencërisht i pa saktë, thekson Instituti.
Standardet e parashikimit të motit
IHMK bazohet në standardet globale të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM) për matjet, terminologjinë dhe saktësinë. Parashikimet afatshkurtra (1-3 ditë) kanë besueshmëri të lartë mbi 80%, ndërsa saktësia bie për periudha më të gjata.
Shërbimet hidrometeorologjike kombëtare përdorin matje të elementëve atmosferikë si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve, duke përdorur satelitë, radarët dhe sensorët tokësorë. Të dhënat analizohen me modele moti dhe historike për të nxjerrë paralajmërime dhe alarme bazuar në nivelet e rrezikut.
Saktësia sipas periudhës së parashikimit
- Parashikimi afatshkurtër (0–3 ditë) – Shumë i saktë, përdoret për motin ditor, temperatura, shi dhe erë.
- Parashikimi afatmesëm (4–7 ditë) – Saktësi mesatare, përdoret për vala të nxehta, fronte të ftohta dhe ngjarje me shkallë të gjerë.
- Parashikimi i zgjatur (8–14 ditë) – Saktësi e ulët, jepen vetëm tendenca të përgjithshme, jo kushte të sakta.
- Afatgjatë/përspektivë javore-mujore – Bazohet në modele klimatike (p.sh. El Niño, La Niña), ofron probabilitet, jo parashikim direkt.
IHMK thekson se për shkak të natyrës dinamike të atmosferës, parashikimet e besueshme janë të kufizuara në rreth 7–10 ditë, ndërsa për periudha më të gjata ofrohen vetëm tendenca probabilistike.
Instituti fton qytetarët që të konsultojnë vetëm parashikimet zyrtare të IHMK-së për informacion të saktë dhe të besueshëm rreth motit në Kosovë.