Trajtohen 50 raste të dhunës për një javë – 44 prej tyre u regjistruan si “dhunë në familje”
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka publikuar raportin javor për periudhën 21 deri më 27 nëntor 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, mbrojtësit e viktimave në tërë territorin e Republikës së Kosovës kanë trajtuar 50 raste të reja, me pjesën më të madhe të tyre të lidhura me dhunën në familje.
Nga numri i përgjithshëm i rasteve, 44 raste kanë qenë të dhunës në familje, duke e konfirmuar edhe një herë faktin se kjo kategori mbetet ndër sfidat më të mëdha shoqërore në vend. Brenda kësaj periudhe është trajtuar edhe një rast dhunimi, një rast të keqpërdorimit seksual ndaj një të mituri nën moshën 16 vjeç, një rast të ngacmimit seksual, një tentim vrasjeje dhe një tentim dhunimi. Po ashtu, është evidentuar edhe një shkelje e urdhrit për mbrojtje.
Për t’i adresuar këto raste, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka ndërmarrë një sërë veprimesh procedurale dhe mbështetëse. Gjatë javës janë parashtruar shtatë kërkesa për urdhër mbrojtje dhe 11 kërkesa për urdhër mbrojtje emergjente, ndërsa është kërkuar edhe ndërprerja e një urdhri ekzistues dhe ndryshimi i dy të tjerëve. Gjatë kësaj periudhe, janë miratuar 13 aktvendime për raste të ndryshme.
Angazhimi i mbrojtësve të viktimave është reflektuar edhe në punën gjyqësore dhe prokuroriale. Ata kanë marrë pjesë në 57 seanca gjyqësore dhe në gjashtë seanca në Prokurori, duke ofruar mbështetje direkte për viktimat. Gjithashtu, janë ofruar 61 këshilla juridike, janë dhënë 22 aktgjykime dënuese dhe është regjistruar një aktgjykim refuzues.
Ndër veprimet tjera të ndërmarra përfshihen përpilimi i dhjetë parashtresave, një deklaratë mbi dëmin, si dhe përfaqësimi i rasteve në Polici dhe në strehimore. Në kuadër të bashkëpunimit institucional, një rast është referuar në Qendrën për Punë Sociale.
Të dhënat e kësaj jave tregojnë qartë për ngarkesën dhe rëndësinë e punës së Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, e cila mbetet një hallkë thelbësore në mbështetjen juridike dhe psikologjike të qytetarëve që përballen me dhunë dhe forma të tjera të cenimit të integritetit.