Thumba mes Kurtit dhe Ramës në ceremoninë e gurthemelit të çerdhes në Bardhosh
Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama kanë shkëmbyer deklarata thumbuese gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Bardhosh të Prishtinës.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Rama kërkoi publikisht nga kryeministri zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit, duke e akuzuar se ka lënë pezull projekte të rëndësishme:
“I bëjë publikisht këtu thirrje kryeministrit ta zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit. Të takohemi pasi që s’jemi takuar ende që katër vite unë e kryeministri për të mirën e vendit. Është fillim i mirë të bëhemi bashkë e t’i grahim proceseve të mëdha e jo vetëm këtyre të vogla, për të mirën e qytetarëve”, u shpreh Rama.
Por nuk vonoi përgjigjja e Kurtit, i cili ironizoi se Rama pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të gjejë një punë të re:
“Së pari, fëmijët janë të vegjël por asnjë çerdhe nuk është minore, nuk mund ta quajmë projekt të vogël. E kam takuar kryetarin disa herë në zyrën time. Janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera. Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër.”
Përparim Rama nuk e la pa reaguar ndaj kësaj deklarate, duke theksuar se do të vazhdojë mandatin dhe akuzoi Kurtin për sabotim të kryeqytetit:
“Do të vazhdoj si kryetar i kryeqytetit. Sot i lutem kryeministrit se nëse është ende në detyrë pas zgjedhjeve lokale ku unë do të jem sërish kryetar i kryeqytetit, të bashkëpunojmë sepse e ka sabotuar që katër vite kryeqytetin. Unë do të jem prapë kryetar”, deklaroi ai.