Testi i Maturës, zv.ministri i Arsimit bën thirrje të mos shkelen rregullat: Do të ketë dënime mbi 3 mijë euro

25.06.2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë maturantët se të shtunën (më 26 qershor) do të mbahet provimi i Maturës Shtetërore. Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit […]

Testi i Maturës, zv.ministri i Arsimit bën thirrje të mos shkelen rregullat: Do të ketë dënime mbi 3 mijë euro Foto: Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë maturantët se të shtunën (më 26 qershor) do të mbahet provimi i Maturës Shtetërore.

Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Dukagjin Pupovci ka mbajtur konferencë për medie.

Ai gjatë kësaj konference ka folur lidhur me punën e deritanishme të kësaj ministrie, duke cekur edhe provimin e maturës shtetërore, ku ka sqaruar se do të testohen mbi 23 mijë nxënës.

Pupovci më tej ka shtuar se rezultatet do të shpallen me 5 korrik.

“Kemi punuar në testin e maturës shtetërore ku janë mbi 23 mijë maturantë, në 177 qendra të testimit dhe me mbi 2 mijë administrues të shoqërisë civile”.

“Rezultatet do të dalin më datën 5 korrik. Kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme, telefonat janë të ndaluar andaj bëj thirrje që mos të shkelin rregullat e testit, do të ketë dënime mbi 3 mijë euro”.

Tutje ai tha se kjo ministri ka punuar edhe në fusha të tjera, duke përfshirë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me ministrinë austriake mbi projektin e punimeve shkencore, dhe konstituimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë i cili është funksionalizuar, raporton EkonomiaOnline.

I pyetur se çka ka paraparë kjo ministri lidhur me shkollat me gjuhë serbe, Pupovci tha se ato janë çështje politike dhe komuniteti serb ka të drejtë që t’i shfrytëzojë programet serbe, por në përputhje me kurrikulën e MAShTI.

“Nuk jemi duke përgatitur kurrikula në gjuhën serbe”, tha Pupovci.

Ndryshe gjatë ditës së sotme drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani në një prononcim për SuharekaOnline ka bërë të ditur se 697 maturantë të rinjë do t’i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore, ndërsa nuk dihet saktë se sa do të vijnë edhe nga vitet e mëparshme.

Po ashtu ai ka theksuar se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në klasë do të lejohen vetëm 15 nxënës.

Ai ka theksuar se ky provim do të mbahet në 4 qendra të testimit, ndërsa maturantët do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë.

Bajselmani ka theksuar se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të shkojë sa më mirë.