Sot mbahet Provimi i Maturës, pjesëmarrës mbi 18 mijë maturantë

21.06.2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore në të gjithë territorin e Kosovës.

Në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë, të cilët do të testohen në katër lëndë kryesore: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe përfshin gjithsej 100 pyetje — nga 25 pyetje për secilën lëndë.

MAShTI ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për një organizim korrekt dhe të sigurt të procesit të testimit. Në terren janë angazhuar trupa mbikëqyrëse, ekspertë të IT-së, si dhe trupa lëvizëse, të cilët do të monitorojnë provimin në mënyrë të vazhdueshme.

Ministria ka apeluar për respektim të rreptë të rregullave, duke theksuar se ndalohet mbajtja e telefonave apo pajisjeve të tjera elektronike gjatë testimit. Hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet fiks në ora 10:00, dhe pas kësaj ore nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar.

Po ashtu, MAShTI ka paralajmëruar se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë dhe i besueshëm për të gjithë.

Rezultatet e provimit pritet të publikohen deri më 30 qershor 2025, ndërsa certifikatat digjitale për maturantët që kalojnë provimin do të jenë të disponueshme për shkarkim në platformën përkatëse të MAShTI-t.