Testi i maturës, vetëm në një ditë, gjithçka gati

10.05.2022

Njohësit e fushës së arsimit, thonë se ndryshimet në organizimin e testit të maturës janë të nevojshme, pasi janë në të mirën e procesit. Rreth 24 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen sivjet provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet vetëm në një ditë, më 18 qershor. Ndërkohë, numri i maturantëve mund të ndryshojë, […]

Testi i maturës, vetëm në një ditë, gjithçka gati Foto: Ilustrim

Njohësit e fushës së arsimit, thonë se ndryshimet në organizimin e testit të maturës janë të nevojshme, pasi janë në të mirën e procesit.

Rreth 24 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen sivjet provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet vetëm në një ditë, më 18 qershor. Ndërkohë, numri i maturantëve mund të ndryshojë, pasi për këtë provim mund të paraqiten edhe ata të cilët nuk e kanë kaluar testin vitin e kaluar. Këshilltarja për Media në Ministrinë e Arsimit, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se Komisioni Shtetëror i Maturës, është në përfundim të të gjitha përgatitjeve për organizimin e këtij provimi.

 “Testi do të organizohet vetëm brenda një dite. Ky testim do të përmbajë katër lëndë, siç janë: gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, ndërsa lënda e katërt është lëndë zgjedhore. Mësimdhënësit, tashmë kanë filluar t’i përgatisin nxënësit për testin e maturës dhe shpresojmë që të arrihen rezultate të mira”, tha Pylla.

Ndërkohë, njohësit e fushës së arsimit, thonë se ndryshimet në organizimin e testit të maturës janë të nevojshme, pasi janë në të mirën e procesit. Eksperti Mustafë Kadriu tha për Radio Kosovën se deri sa të arrihet një standard, është mirë të bëhen ndryshime pozitive, duke mos dalë jashtë qëllimit të vlerësimeve të jashtme.

 “Kur të organizohet testi, duhet të arrihet qëllimi se për çfarë po bëhet ky test. Qëllimin kryesor e ka diferencimin e nxënëseve dhe pikëzimin e certifikimin. Qëllim tjetër është të shihet tek arritshmëria niveli i dijes për këtë nivel shkollimi. Nëse është përmbushur qëllimi, atëherë edhe ndryshimet janë të arsyeshme”, tha Kadriu.

Për sa i përket rezultateve të testit të maturës, Kadriu tha se në përgjithësi rezultatet janë reale, duke mos përjashtuar edhe raste të caktuara, ku mund të jenë bërë edhe lëshime. Ndërsa, ai theksoi se duhet të merren masa për sa i përket mënyrës së administrimit të provimit shtetëror. Ministria e Arsimit, nuk ka dhënë ende detaje se në sa qendra do të organizohet testi dhe sa administratorë do ta mbikëqyrin këtë proces, përderisa kriteri i kalueshmërisë do të mbetet i njëjtë.