Tentim vrasje në Drenas: Një person goditet rëndë me shkop druri, dy të arrestuar

22.06.2025

Një rast i rëndë i tentim vrasjes është raportuar mbrëmjen e së shtunës në Drenas, ku një person ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një sulmi brutal.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima – mashkull kosovar – është sulmuar fizikisht dhe ka marrë goditje të rënda në kokë me një shkop druri. Fillimisht, ai është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas, por për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në lidhje me rastin, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë-shqiptarë. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë dërguar në mbajtje.

Policia ka njoftuar se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e këtij sulmi të rëndë.