Sveçlës iu refuzua vizita në Luginë, Kamberi: Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake

04.01.2024

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i është refuzuar vizita në Luginën e Preshevës. Kamberi ka thënë se vizitat e zyrtarëve të Kosovës e Shqipërisë në Luginë nuk janë vetëm të nevojshme, por janë edhe të domosdoshme, e duhet […]

Sveçlës iu refuzua vizita në Luginë, Kamberi: Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake Foto: Ilustrim

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i është refuzuar vizita në Luginën e Preshevës.

Kamberi ka thënë se vizitat e zyrtarëve të Kosovës e Shqipërisë në Luginë nuk janë vetëm të nevojshme, por janë edhe të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme.

“Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare! “, ka shkruar deputeti shqiptar në Facebook.

Ai tutje ka thënë se e dënojnë ashpër këtë qasje që siç ka thënë, është e vazhdueshme nga Qeveria e Serbisë “e cila vazhdon me getoizimin e Luginës së Preshevës!”.

“Bashkëpunimi ynë me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësojë askënd, përkundrazi duhet ta mirëpres çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë, por do të dështojë”, ka përfunduar Kamberi.

Sveçla gjatë ditës ka njoftuar se autoritetet serbe ia kanë refuzuar vizitën e planifikuar për të enjten në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se ky vendim i autoriteteve të shtetit fqinj është marrë pa asnjë arsye e as shpjegim.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tutje ka thënë se ky akt i Serbisë dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”.

Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, Sveçla ka paralajmëruar se do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve.