Rreth 5 mijë aplikime për shtetësi në gjashtë muaj, ndryshon lokacioni i shërbimit

14.08.2026

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se nga e hëna, 17 gusht 2026, qytetarët do t’i pranojnë vendimet për fitim, ri-fitim dhe humbje të shtetësisë me lirim në lokacionin e ri të zyrës, në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil.

Sipas Sveçlës, ndryshimi i lokacionit synon të krijojë kushte më të përshtatshme për qytetarët dhe të mundësojë ofrim më efikas të shërbimeve. Në kuadër të këtyre masave është shtuar edhe stafi mbështetës, me qëllim të zvogëlimit të radhëve dhe kohës së pritjes.

Nga janari deri në qershor të këtij viti, rreth 5 mijë qytetarë kanë aplikuar për fitim, ri-fitim dhe humbje të shtetësisë me lirim.

Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se qytetarët mund të aplikojnë për këto shërbime edhe online përmes platformës e-Kosova, duke e bërë procesin më të lehtë, më të shpejtë dhe më të qasshëm.

Sveçla ka theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara në përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.