Sveçla përgëzon IPK-në për arrestimin e ish-drejtorit të Policisë në Prizren: “Krimi nuk ka vend në radhët e Policisë”

05.08.2025

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të zhvilluar ditën e hënë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ku u arrestuan katër persona, përfshirë edhe ish-drejtorin rajonal të Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Në një deklaratë publike, Sveçla përgëzoi IPK-në për angazhimin dhe vendosmërinë në këtë operacion, duke theksuar se në shoqërinë kosovare nuk ka vend për krim, e aq më pak në institucionin e Policisë.

“Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë. Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka deklaruar Sveçla.

Ai theksoi më tej se Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë mburojë e veprimtarive kriminale.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me IPK-në, ka zhvilluar bastisje në katër lokacione në qytetin e Prizrenit, si pjesë e një hetimi disa mujor. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale, ndër ta edhe ish-drejtori rajonal i Policisë, Nexhmi Krasniqi.

Ai dyshohet për veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të cilat janë të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit të dyshuar, si pjesë e procedurës administrative, ndërsa hetimet në terren po vazhdojnë.

Prokuroria dhe IPK kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër çdo forme të kriminalitetit, përfshirë rastet kur në fokus janë zyrtarë publikë.