Sveçla nuk i takoi zjarrfikësit që 1 vit, Beka: Na tha se situata në veri po i merr shumë kohë

01.05.2024

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka treguar se sfidat me të cilat përballen zjarrfikësve e Kosovës janë adresuar edhe tek institucionet, teksa ka bërë me dije se që një vit nuk kanë pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla nuk i takoi zjarrfikësit që 1 vit, Beka: Na tha se situata në veri po i merr shumë kohë Foto: Ilustrim

Sipas Bekes, Sveçla u ka thënë se nuk ka kohë të takohet si shkak i gjendjes në veri, dhe njëkohësisht komunikimin me ta ua ka deleguar zëvendësministrave. “Shteti urgjentisht të ndërmerr masa për tu tejkaluar kjo gjendje. Takimin e fundit e kishim vitin e kaluar. Kemi biseduar për të gjitha. Janë pajtuar me kërkesat tona reale. Na kanë thënë se për shkak të buxhetit nuk kanë mund të na i realizojnë. Kemi prit këtë vit të reflektojnë dhe ne prapë do tu drejtohemi. Ministri në takim është angazhuar, është munduar së paku. Na ka thënë se çështja e veriut po merr shumë kohë. E ka deleguar punën të zëvendësministrat” është shprehur ai në Tëvë 1.

Ndërkohë, Beka ka thënë se ky 1 maj zjarrfikësit i ka gjetur pa ndonjë përmirësim të theksuar të kushteve të punës për ta. Kurse, ai ka veçuar si problem numrin e vogël të zjarrfikësve në nivel vendi si dhe mospagesën e rrezikshmërisë në punë.

“1 maji zjarrfikësit e Kosovës i gjeti si viteve tjera, pa një përmirësim të dukshëm ose mund të them me një përmirësim të vogël, por gjendja në përgjithësi është jo e qëndrueshme dhe jo e kënaqshme, me shumë probleme të pazgjidhura. Ajo që është më se brengosëse është moszgjidhja e statusit juridik, që ende nuk e kemi të definuar. Ligji është nxjerr, është në qeveri, por nuk ka shkuar në kuvend. Ky mosdefinim po shkakton probleme të mëdha. Numri i vogël i zjarrfikësve në nivel vendi, mos pagesa e rrezikshmërisë në punë”, ka shtuar ai.