Sveçla: Arsenijeviq do të arrestohet menjëherë sapo të hyjë në Kosovë

para 27 dite

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq do t’i vendoset masa e ndalimit menjëherë sapo të hyjë në territorin e Kosovës.

Sveçla: Arsenijeviq do të arrestohet menjëherë sapo të hyjë në Kosovë

Në një deklaratë për media, Sveçla theksoi se Arsenijeviq aktualisht nuk ndodhet në Kosovë dhe se organet kompetente janë në kërkim të tij.

“Ai nuk ndodhet në Kosovë, organet e ndjekjes janë në kërkim. Në momentin që vjen në territorin e Kosovës do të ndalet dhe më pas i kalohet organeve kompetente”, tha ministri Sveçla.

Ai bëri të ditur se sipas informatave që posedon Ministria, tri prona të Arsenijeviqit janë bastisur ditën e djeshme, ku janë gjetur pajisje për kriptovaluta, një jelek antiplumb dhe pajisje të tjera, të cilat, sipas Sveçlës, dëshmojnë përfshirjen e tij në veprimtari kriminale të vazhdueshme.

Ndërkohë, partia që ai udhëheq, Demokracia Serbe, ka reaguar pas bastisjes duke deklaruar se Arsenijeviq ndodhej në Serbi në kohën e aksionit policor. Partia ka paralajmëruar se do t’i përdorë “të gjitha mjetet ligjore dhe të tjera të lejuara” për ta mbrojtur atë dhe ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë interesat e serbëve në Kosovë.

Bastisje e gjerë dhe armë për një “njësi terroriste”

Një ditë më parë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe Prokurorinë, si dhe nën monitorimin e KFOR-it dhe EULEX-it, ka kryer një operacion të gjerë bastisjeje në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit.

Gjatë bastisjes, autoritetet kanë zbuluar një arsenal të madh armësh, përfshirë:

  • Raketahedhës dore (zolla)
  • Granata dore
  • Tronblona
  • Armë zjarri dhe municion të ndryshëm

Sipas ministrit Sveçla, sasia e armëve dhe pajisjeve të sekuestruara ishte e mjaftueshme për të furnizuar një njësi të tërë terroriste, duke ngritur kështu shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Autoritetet e Kosovës vazhdojnë hetimet dhe ndjekjen penale për këtë rast, duke paralajmëruar masa të mëtejshme ndaj individëve dhe grupeve të përfshira në veprimtari të paligjshme.

Etiketat

Ofertat e fundit