Në Suharekë nuk ka mjaftueshëm vaksina anti-COVID

23.06.2021

Ndonëse zyrtarisht filloi procesi i vaksinimit masiv, në shumë komuna nuk ka doza të mjaftueshme. Ani pse Ministria e Shëndetësisë, që nga 15 qershori, premtoi vaksinimin e qindra-mijëra qytetarëve brenda ditës, në Suharekë është rekomanduar që brenda ditës të vaksinohen vetëm 70 persona. Besa Kuqi, drejtoreshë e Shëndetësisë në këtë Komunë, thotë se nuk ka […]

Në Suharekë nuk ka mjaftueshëm vaksina anti-COVID Foto: Ilustrim


Ndonëse zyrtarisht filloi procesi i vaksinimit masiv, në shumë komuna nuk ka doza të mjaftueshme.

Ani pse Ministria e Shëndetësisë, që nga 15 qershori, premtoi vaksinimin e qindra-mijëra qytetarëve brenda ditës, në Suharekë është rekomanduar që brenda ditës të vaksinohen vetëm 70 persona.

Besa Kuqi, drejtoreshë e Shëndetësisë në këtë Komunë, thotë se nuk ka vaksina sa ka kërkesa.

“Për momentin e kemi marrë rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë me vaksinu vetëm 70 qytetarë në ditë, gjë që po na bën shumë problem dhe telashe për shkak që kemi më shumë interesim se që kemi doza. A po na furnizojnë me doza? Po, ama jo mjaftueshëm sa duhet.”, tha Kuqi për ATV.

Kuqi vlerëson se në vend kjo çfarë po ndodh as nuk është vaksinim masiv.

Me të njëjtin problem me mungesë të vaksinave po përballet edhe Komuna e Ferizajt. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Abetare Kurti, thotë se ka shumë qytetarë të interesuar për vaksinim, por duhet të presin edhe një kohë.

“Pengesa e vetme është ndoshta që ne kemi numër të madh të qytetarëve që kërkojnë me u vaksinu, por për shkak të planit kombëtar të vaksinimit dhe sasisë së pamjaftueshme të vaksinave po e menaxhojmë disi situatën të mos tejkalohet numri i shifrave që duhet dhënë,” tha Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte premtuar që deri në fund të muajit do të arrijnë 40 mijë doza donacion të vaksinës Pfizer dhe një kontingjent tjetër i dozave të kontraktuara nga Qeveria.