Bajselmani përcjellë nga afër procesin e shpërndarjes së kifleve nëpër shkolla, flet edhe për shpenzimet e drekave jozyrtare

11.05.2023

Ka filluar procesi i shpërndarjes së kifleve në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës, më konkretisht për nxënësit e klasave të para deri në ato të pesta. Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani sot, gjatë ditës së enjte ka vizituar shkollën fillore “Migjeni” në Gjinoc për të parë nga afër procesin e shpërndarjes […]

Bajselmani përcjellë nga afër procesin e shpërndarjes së kifleve nëpër shkolla, flet edhe për shpenzimet e drekave jozyrtare Foto: Ilustrim

Ka filluar procesi i shpërndarjes së kifleve në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës, më konkretisht për nxënësit e klasave të para deri në ato të pesta.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani sot, gjatë ditës së enjte ka vizituar shkollën fillore “Migjeni” në Gjinoc për të parë nga afër procesin e shpërndarjes së kifleve për nxënësit e klasave të para, dyta, treta, katërta dhe atyre të pestave.

Bajselmani për SuharekaOnline ka bërë të ditur se shpërndarja e kifleve në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës ka filluar dje gjatë ditës së mërkurë, ku u janë shpërndarë të gjithë nxënësve kifle të cilat janë të paketuara dhe cilësisë së lartë.

Poashtu, ai ka bërë të ditur se për shpërndarjen e kifleve, MASHT për Komunën e Suharekës ka ndarë 127 mijë euro të cilat parashihen të shpenzohen brenda 120 dite.

Numri i nxënësve të cilët do të marrin kifle çdo ditë mësimi në Komunën e Suharekës është rreth 3.600, shpërndarja e kifleve bëhet në orën 10:00 nëpër shkolla, si dhe pranohen nga puntorët teknik të cilët nëpër çese të veçanta i dorëzojnë tek mësimdhënësit e pastaj shpërndahen tek nxënësit.

Gjatë vizitës së tij në SHFMU “Migjeni” në Gjinoc, Drejtori i DKA-Suharekë bëri të ditur se procesi i pranimit dhe shpërndarjes së kifleve ka shkuar në rregull.

“Procesi i shpërndarjes së kifleve në Komunën e Suharekës ka filluar dje, gjatë ditës së mërkurë, ku të gjithë shkollat e komunës tonë kanë pranuar dhe shpërndarë kifle për nxënësit e klasave një deri në pesë, ku janë diku rreth 3.603 nxënës.” tha Bajselmani.

“Ky projekt është i financuar nga Ministria e Arsimit, e cila për Komunën e Suharekës ka ndarë 127 mijë euro për blerjen e kifleve për nxënësit e shkollave tona, ne kemi paraparë që me këtë shumë të ndarë të blehen kifle për këta nxënës për 120 ditë” shtoi ai.

Në përgjigjet e të tij, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani është prononcuar edhe për shpenzimet e arsimit parafillor për tre muajt e parë të këtij viti, të cilat kishin arritur diku rreth 5 mijë e 430 euro.

Bajselmani për SuharekaOnline ka bërë të ditur dhe ka arsyetuar shpenzimet e drekave jozyrtare ku sipas tij, këto shpenzime ndër tjerash janë bërë për pagesën e ushqimit dhe ujit për të gjithë fëmijët në degët e Institucionit Parashkollorë “Fluturat”.