Suhareka të mërkurën organizon koncert festiv për nder të 28 Nëntorit
Komuna e Suharekës do të shënojë Festën e Flamurit me një koncert festiv, i cili do të mbahet më 26 nëntor në Shtëpinë e Kulturës “Uke Bytyçi”.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë aktivitet kulturor.

Në këtë mbrëmje do të performojë Shoqëria Kulturo-Artistike “Jehona”, e cila prej vitesh ruan dhe promovon traditën e këngës dhe vallës shqiptare.
Festës do t’i bashkohet edhe Shoqëria Kulturo-Artistike “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, duke sjellë kështu një kombinim të traditave dhe kulturës shqiptare nga të dy anët e kufirit.
Organizimi synon të krijojë një atmosferë festive për qytetarët, duke nderuar 28 Nëntorin – ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditën e identitetit kombëtar.
Autoritetet komunale kanë theksuar se ky aktivitet është i hapur për të gjithë, ndërsa pjesëmarrja pritet të jetë e madhe për shkak të rëndësisë së festës dhe programit artistik të pasur.