Stradner: Vuçiq ka probleme brenda Serbisë, prandaj edhe po bën lojë me situatën në Kosovë

30.11.2024

Ivana Stradner, Këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë dhe analistë e njohur e zhvillimeve në Ballkan, ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e një përshkallëzimi të tensionit në Kosovë, duke lidhur këtë me situatën e brendshme në Serbi dhe me lojërat politike të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Në një analizë të publikuar së fundmi, Stradner thekson se protestat e vazhdueshme në Serbi, të shkaktuara nga një sërë problemesh, po e vështirësojnë pozitën e Vuçiqit dhe po rrisin pasigurinë në vend. Sipas saj, për t’i shpëtuar kësaj situate, Vuçiq mund të përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit publik serb dhe të zhvendosë përgjegjësinë për problemet e brendshme duke provokuar një krizë të re në Kosovë.

“Vuçiq ka probleme serioze të brendshme dhe mund të presësh shumë shpejt përshkallëzime të reja në Kosovë, që është një lojë tipike e Vuçiqit për të shpërqendruar Perëndimin dhe për të bërë më shumë presion brenda vendit,” shkruan Stradner.

Analistja paralajmëron se Vuçiq mund të përdorë një skenar të ngjashëm me atë të viteve të mëparshme, duke akuzuar Kosovën për provokime dhe duke kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Sipas saj, qëllimi i tij është të paraqitet si një faktor stabiliteti në rajon dhe të shantazhojë Perëndimin për të marrë mbështetje.

“Ai përsëri do të përdorë përshkallëzimin për të de-përshkallëzuar strategjinë dhe do ta pozicionojë veten si një shtyllë stabiliteti duke shantazhuar Perëndimin duke u thënë atyre – nëse nuk duan që kriza të spirale më tej, ata duhet ta mbështesin atë,” shkruan më tej Stradner.

Ajo shpreh shqetësim të veçantë për retorikën e përdorur nga regjimi i Vuçiqit, duke përfshirë fjalime të tilla si “skenari i Rumanisë” dhe “revolucioni i ri me ngjyra”, të cilat sipas saj kanë për qëllim të frikësojnë opinionin publik dhe të justifikojnë veprime të mëtejshme represive.

Stradner konkludon se “tashmë e dimë se si funksionon regjimi i Vuçiqit dhe bëhemi gati për të njëjtën lojë të vjetër në Ballkan”.