Specializimet lënë pa mjekë QKMF-të, kërkohet auditimi i konkursit

08.05.2021

Në korrik të vitit 2020, në kohën kur ministria e Shëndetësisë ishte duke u udhëhequr nga Armend Zemaj, kjo ministri kishte hapur konkurs për specializantë. Një gjë e tillë ishte bërë pas katër viteve, ku edhe do të pranoheshin rreth 1 mijë e 34 specializantë. Ndërsa pastaj ky konkurs ishte plotësuar për specializantë nga Mali […]

Specializimet lënë pa mjekë QKMF-të, kërkohet auditimi i konkursit Foto: Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë / SuharekaOnline

Në korrik të vitit 2020, në kohën kur ministria e Shëndetësisë ishte duke u udhëhequr nga Armend Zemaj, kjo ministri kishte hapur konkurs për specializantë.

Një gjë e tillë ishte bërë pas katër viteve, ku edhe do të pranoheshin rreth 1 mijë e 34 specializantë.

Ndërsa pastaj ky konkurs ishte plotësuar për specializantë nga Mali Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, ku me ç’rast numri i specializantëve të pranuar shkoi diku rreth 2000.

Për këtë konkurs Oda e Mjekëve po kërkon auditim nga ministri i tanishëm Arben Vitia.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurant Sejdiu thotë për KosovaPress se në këtë konkurs u pranuan rreth 2000 specializantë, ku për shkak të numrit të tejkaluar tani këta specializantë vetëm po enden korridoreve të klinikave specialistike pa pasur mundësi të kyçen në punë.

Sejdiu pohon se specializimet janë ndarë pa u bazuar në kërkesat reale të klinikave, spitaleve, dhe QKMF-ve dhe tani këto specializime kanë lënë QKMF-të pa mjekë të kujdesit parësor.

Kryetari i Odës së Mjekëve, thotë se do duhej të ishin rreth 800 mjekë për shkollim specialistë, por janë lëshuar rreth 2000 specializime, për të cilët Sejdiu thotë se nuk di kush janë.

“Tash kemi problemin gjatë këtyre 2 javëve ne jemi takuar me të gjithë udhëheqësit e institucioneve shëndetësore si atyre primare si atyre sekondare dhe është i njëjti problem.

Një kanë mbet pa mjekë në nivelin e mjekësisë familjare, e dyta është që të gjitha pa asnjë përjashtim na kanë bindur me fakte që specializimet të cilat janë ndarë nuk janë bazuar në asnjë pikë në kërkesat reale të tyre, kërkesa të cilat ata i kanë pas duke pasur parasysh ndërrimin e gjeneratave, mungesa aktuale edhe plotësimin e nevojave për zhvillimin e kapaciteteve të spitaleve, dhe ka dhënë specializime ministria pa kërkesa të tyre”, tha ai.