Sot vendosen gurthemelet e dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë
Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut, sot do të vendosen gurthemelët e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
Ceremonia do të nisë në orën 17:00 në Mitrovicën e Veriut, në afërsi të objektit të komunës, ku do të vendoset gurthemeli i urës për kalim të veturave. Më pas, në orën 17:15, është planifikuar ecja e përbashkët drejt lokacionit të dytë, ndërsa në orën 17:30 do të bëhet vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve, përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë” në Mitrovicën e Jugut.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Pas vendosjes së gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve, është paraparë edhe një prononcim i përbashkët për media nga zyrtarët pjesëmarrës.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ndërtimi i këtyre dy urave ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe forcimin e lidhjes mes pjesës jugore dhe asaj veriore të qytetit të Mitrovicës.