Sot në Prishtinë mbahet protesta kundër padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Sot në orën 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pritet të mbahet një protestë gjithëpopullore e organizuar nga organizatat e dala nga lufta.
Protesta është thirrur në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thuhet, mbajtjes së padrejtë në paraburgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Organizatorët e protestës, përfshirë përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha hapat për mbarëvajtjen e këtij tubimi. Ndër to përfshihet koordinimi me qytetarët dhe organizimi i transportit për pjesëmarrësit nga qytete të ndryshme të vendit.
“Kemi komunikuar me strukturat tona dhe me shumë qytetarë. Për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë me autobusë, kemi vendosur që parkingu ‘Prishtina’ pranë Pallatit të Rinisë do të jetë i gatshëm për pritjen e tyre”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL – UÇK-së.
Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të shprehur solidaritet me bashkëluftëtarët që po gjykohen në Hagë.
Protesta është paralajmëruar si një ngjarje paqësore me moton “Kundër padrejtësisë”. Ajo ka marrë mbështetje nga parti politike, deputetë të Kuvendit të Kosovës, organizata joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023.